NDESHJA E RADHËS

Mateo Shanaj mesfushori profesionist i Apolonise
Intervista

Mateo Shanaj: Cilësitë më të mira që kam? Kontrolli i topit dhe dyluftimet një kundër një

Mateo Shanaj: Cilësitë më të mira që kam? Kontrolli i topit dhe dyluftimet një kundër një

Postuar nga:

Shpëndaje në:

Share on facebook
Share on whatsapp
Share on linkedin
Share on twitter
Share on email

Mateo Shanaj, mesfushori me staturë të lartë e profesionist i shkëlqyer, punëtor e pa fjalë, i vendosur për objektivat e tij dhe të FK Apolonisë është i qartë për vlerat dhe kontributin e tij në skuadër. Ai me vetëbesim na tregon se vendi i tij në futboll është dhe do të jetë shumë i rëndësishëm e i meritur.

Mateo, ju jeni nga Vlora, na tregoni rrugëtimin tuaj për t’u bërë futbollist. Në ç’moshë e fillove dhe kush të mbështeti?

Ditët e para kur kam filluar të gjuaj një top futbolli ka qenë rreth moshes 7-vjeçare, që nga ai moment, nisi dëshira dhe pasioni për futbollin. Personi i parë që më ka mbështetur ka qenë dhe është babai im, i cili ka kontribuar shumë deri më sot. Pjesën më të madhe të kohës ai e ka shpenzuar duke më ndjekur mua në karrierën time hap pas hapi.

Si dhe kur u bëtë lojtar profesionist futbolli? Po me F.K. Apolonia kur filluat si lojtar profesionist? 

Janë bërë pothuajse 4 sezone futbollistike që unë luaj si një futbollist profesionist. Si i tillë karrierën time e kam filluar te K.F. Turbina, aty ku fillova të marr minutat e para në kategorinë e parë. Pas një sezoni e gjysmë, paraqitjet e mia rezultuan mjaft të mira saqë u bëra pjesë e klubit F.K. Apolonia.

Cila ishte pjesa më e vështirë e rrugëtimit tuaj për t’u bërë një futbollist profesionist?  

Një moment mjaft i mirë për mua, por i vështirë njekohësisht. Erdha në një kohë ku ekipi im qëndronte në elitën e futbollit shqiptar teksa luante me ekipet më të mira në Shqipëri. Ardhja ime solli konkurencë në ekip e kjo gjë solli vështirësi në marrjen e minutave. Por me kalimin e kohës u ambjentova me ekipin dhe fillova duke u bërë një lojtar i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Cila mendoni se është cilësia më e rëndësishme për një futbollist të suksesshëm? 

Mendoj se gjëja kryesore që një sportist duhet të ketë, kryesisht një futbollist është mentaliteti i fituesit. Kjo gjë të ndihmon që asnjëherë mos të jesh me kokën ulur apo të demoralizohesh.

Çfarë mendon se e bën futbollin sportin më të mirë në botë dhe pse? 

Injektimi që në moshë të vogël i këtij sporti ka bërë që futbolli për mua të jetë sporti më i bukur në botë. Adrenalinën që ma jep futbolli nuk mund ta gjej në asnjë vend tjetër. Një tjetër gjë e bukur e futbollit është shikueshmëria e lartë që ka, i cili bëhet i pakrahasueshëm me sportet e tjerë.

Cila ishte gjëja më e vështirë që keni mësuar për të luajtur futboll? 

Sakrificat që kam bërë dhe do të vazhdoj të bëj janë vështirësi në këtë sport. Një gjë tjetër është durimi që të bën ta kalisësh ditë pas dite. Për të luajtur futboll nuk do të thotë të marrësh një palë këpucë futbolli, të futesh në fushë e të luash. Jo. Që ta kryesh këtë sport në mënyrë profesioniste janë disa faktorë që të çojnë në rrugën e duhur, të cilët janë përkushtimi, puna dhe vullneti.

Çfarë mendoni se e dallon F.K. Apoloninë nga ekipet e tjera? Çfarë  vlerësoni te klubi? 

F.K. Apolonia është një klub i madh, jo vetëm në këtë kategori, por dhe me ekipet e “Abissnet Superiore”. Kushtet që mundëson ky klub nuk i mundëson asnjë ekip në Shqipëri. Më në veçanti është ngrohtësia që të jep ky ambient ku vështirë ta gjesh në klube të tjera.

Kush është futbollisti juaj i preferuar dhe pse? 

Futbollisti im i preferuar është Paul Pogba,i cili luan si mesfushor në ekipin e Juventusit në Itali (Serie A). Në pamje të parë kemi ngjashmëri nga struktura e fizikut, gjithashtu në stil loje. Më pëlqen marrëdhënia që ai ka me topin, e bën futbollin të duket më të thjeshtë e më të bukur.

Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushën e lojës? Kur trajnerët i ndryshojnë pozicionet e lojtarëve, bëjnë mirë apo keq?  

Pozicioni im i preferuar në fushë nuk është ai i cili unë luaj aktualisht. Për momentin luaj mesfushor qendre i avancuar. I preferuari im është roli i mesfushorit që pozicionohet para mbrojtjes me pak fjalë mesfushor me tipare mbrojtëse. Vendimet e marra nga trajnerët bëhen për t’i shërbyer ekipit. Ndonjëherë për lojtarin nuk qëllojnë siç duhet sepse mendoj se nuk i merr maksimumin e tij, por gjëja më e rëndësishme është rezultati pozitiv i ekipit.

Për cilën arritje në karrierën tuaj të futbollit jeni më krenar? Cili ka qenë momenti  juaj më i mirë në futboll?  Po momenti juaj më i keq? 

Deri tani momenti më i mirë në karrierë është luajtja në Superligë para dy vitesh ndërsa momenti më i keq është rënia nga kategoria, diçka që nuk e përjetova mirë.

Kush ka pasur ndikimin më të madh në karrierën tuaj? A mund ta shpjegoni pse? 

Babai im është ai që ka ndikuar në karrierën time futbollistike. Ai ka qenë gjithmonë gati për mua dhe gjithmonë është treguar i palodhur. Në fillimet e mia sporti nuk ka qenë primar për mua sepse mendoja shumë edhe për shkollimin tim, ku për momentin studioj në universitet, në vitin e dytë. Por babai bënte të mundur vajtjen time në stërvitje dhe kur unë nuk e kam pasur dëshirën.

Cila do të thoshit se është dobësia juaj më e madhe si lojtar? 

Mungesa e reagimit të shpejtë në fushën e lojës është një mangësi që unë kam dhe një gjë që unë dua që ta përmirësoj.

Çfarë pengesash ju është dashur të kapërceni për të arritur këtu ku jeni sot në karrierën tuaj? 

Futbolli të bën që të sakrifikosh. Konkretisht me mua ku në moshën 19-vjeçare jam shpërngulur nga jetesa në Tiranë dhe kam ardhur në Fier. Kjo dhe ndarja nga familjarët është një pengesë psikologjike, por që zgjat për një kohë të shkurtër deri sa mësohesh me jetesën e re.

A ka ndonjë gjë që bëni ndryshe tani që jeni një lojtar me përvojë në krahasim me kohën kur e nisët për herë të parë? 

E vetmja gjë që ka ndryshuar në lojën time nga përvoja që kam arritur këtu te F.K. Apolonia është menaxhimi i duhur i energjive të mia si futbollist. Herët e para kanë qenë të vështira duke filluar nga pozicionimi në fushë e të tjerë komponentë që të bëjnë një profesionist të vërtetë.

Cilat mendoni se janë vlerat tuaja si Mateo dhe si futbollist sot? Si do ta përshkruaje Mateon po të bëje profilin e tij si futbollist? 

Mateo është një djalë punëtor dhe kokulur, i cili kur e fillon një gjë, në këtë rast objektivi për t’u bërë një futbollist i niveleve të larta e çon deri në fund. Unë jam një futbollist mjaft i mirë në nivelin ku luaj, komponentët që unë kam dhe cilësitë e mia e tregojnë qartazi këtë gjë. Kontrolli i topit dhe dyluftimet një kundër një mendoj se janë cilësitë e mia më të mira.

Si i trajtoni zhgënjimet apo pengesat gjatë një sezoni? 

Zhgënjimet dhe pengesat janë pjesë e jetës tonë jo vetëm e sportit, rezultatet negative na demoralizojnë, por kjo asnjëherë nuk më bëhet pengesë e paraqitjeve të mia në lojë. Harmonia në ekip dhe bashkëpunimi që kemi me njëri-tjetrin në klub bëjnë që zhgënjimet e pengesat t’i kalojmë sa më lehtësisht.

Cila mendoni se është sfida më e madhe me të cilën përballet futbolli sot? 

Terrenet sportive dhe kushtet janë sfidë e madhe në Shqiperi, por në klubin tim nuk egziston kjo sfidë.

Kush do të thoshit se është kundërshtari juaj më i vështirë dhe pse? 

Ekipi më i fortë që jemi ndeshur këtë sezon, sipas mendimit tim, ishte ekipi i Korçës, i cili aktualisht ndodhet në vendin e parë si kryesues. Sepse është një ekip i konsoliduar e përbëhet nga lojtar me eksperiencë ku e njohin mjaft mirë këtë kategori.

A keni ndonjë këshillë për prindërit, fëmijët e të cilëve luajnë sporte në ekip? 

Nuk jam akoma në pozicionin për t’u dhënë këshilla prindërve, por në lidhje me fëmijët e tyre mendoj se duhet t’i lënë hapësirën e duhur për të ndjekur ëndrrën e tyre pa u ndërhyrë shumë në botën e sportit e këte gjë t’ua lënë specialistëve.

A keni ndonjë këshillë për trajnerët që punojnë me ekipet e Akademisë së F.K. Apolonia? 

Për trajnerët dhe stafin e gjatë të Akademisë së F.K. Apolonia mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të mbizotërojë harmonia dhe të ketë sa më shumë profesionalizëm. Po ashtu kjo shkon për lojtarët më të rinj që luajnë në ekipet zinxhir të akademisë, por dhe për ata që kryejnë stërvitje me ekipin e parë.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?  

Ushqimi im i preferuar janë makarona dhe mishi i kuq.

A keni ndonjë hobi apo interes tjetër jashtë futbollit? 

Kam disa hobi të cilët janë leximi i librave dhe muzika që mbetet e preferuara ime. Shumicën e kohës e kaloj duke dëgjuar muzikë dhe kur kam kohë të lirë shkoj në palestër. Gjuha e huaj është gjithashtu një hobi të cilin e praktikoj jashtë futbollit, atë Italiane.

Cilat janë objektivat e ekipit të Apolonisë ku ti debuton për këtë sezon? 

Ky sezon ka të njëjtin objektiv me atë të kaluarin. Ngjitja në “Abissnet Superiore” ku ne po luftojmë për ta arritur. Sezonin e kaluar e humbëm kot, por për këtë të tanishmin jemi të bindur për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Lajme e fundit

×