Marrin fund vuajtjet për Apoloninë. Pas gati dy muajsh me stol bosh, kanë gjetur trajnerin e ri. Nuk është një emër i panjohur. Bëhet fjalë për Veljko Dovedan, që pak kohë më parë drejtonte Bylisin. Boshnjaku ka arritur akordin me drejtuesit dhe do të jetë ai që do ta mbyllë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Me të firmosur kontratën, 68- vjeçari ka nisur direkt nga puna. Pasi ka kryer seancën e parë me fierakët, ai ka dhënë edhe një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”. Është i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe hapur e thotë që do të dinë t’i kalojnë këto ditë të vështira.
Riktheheni në Shqipëri, por këtë herë në Fier. Si ndiheni?
Ndihem shumë mirë që jam rikthyer në Shqipëri. Rikthimi im është i shpejtë këtu, ndaj jam i emocionuar. Vetëm para një viti drejtoja Bylisin, prandaj mund të them me bindje të plotë se e njoh shumë mirë futbollin shqiptar.
Sa dhe si e njihni skuadrën e Apolonisë?
E njoh aq sa duhet Apoloninë. Shkurtimisht e përkufizoj si një klub serioz në të cilin mund të bësh punën tënde ashtu siç ti e dëshiron. Infrastruktura është perfekte, pa asnjë diskutim që këtu është mundësia për t’u stërvitur orar pa orar. Kushtet janë optimale prandaj na mbetet vetëm të punojmë shumë çdo ditë.
Zhvilluat të parën seancë. I kënaqur nga performanca e lojtarëve?
Kam zhvilluar vetëm një stërvitje dhe i pashë tejet të përqendruar. Kam besim që së bashku do të bëjmë mirë në kampionat. Shumë herët të flasim për gjëra të mëdha, po ne do të përmirësohemi nga seanca në seancë dhe nga ndeshja në ndeshje. Vetëm kështu rritemi dhe në fund shpërblehemi për punën e bërë me shumë mund e djersë.
Çfarë ju bindi të firmosnit me Apoloninë?
U binda lehtësisht nga infrastruktura perfekte, oferta serioze e konkrete e bërë nga presidenti Koço Kokëdhima, si dhe nga vetë emri “Apolonia”. Nuk mund ta refuzoja kurrsesi këtë klub të madh. E ndiej veten të privilegjuar që po drejtoj Apoloninë. Është një klub serioz në të cilin mund të bësh punën tënde ashtu siç e dëshiron.
Apolonia po kalon një moment krize në kampionat. Mendoni se do ta hidhni pas vështirësinë e javëve të kaluara?
Po, e di që Apolonia është në një moment të vështirë në Kategorinë e Parë. Kur kam ardhur këtu, kam menduar si e si të përmirësoj lojën e skuadrës prandaj na mbetet vetëm të mendojmë për të ardhmen. Ajo që ka kaluar, ka kaluar, por të mos harrojmë se kemi ende shumë ndeshje përpara. Ulim kokën, punojmë shumë dhe do të flasë vetë loja jonë në fushën e blertë. Kam shumë besim që së bashku do ta hedhim pas këtë moment të vështirë.