NDESHJA E RADHËS

Dario Dian preparatori atletik FK Apolonia
Intervista

Dario Dian:” Kini një ëndërr dhe mos u vetëkënaqni!”

Dario Dian:” Kini një ëndërr dhe mos u vetëkënaqni!”

Postuar nga:

Shpëndaje në:

Share on facebook
Share on whatsapp
Share on linkedin
Share on twitter
Share on email

Dario Dian, preparatori atletik i F.K. Apolonisë prej 3 vitesh flet per www.fkapolonia.al për ardhjen e tij në Klub. Për punën e palodhur dhe kontributin e tij për të zhvilluar mentalitetin e kulturën e duhur te lojtarët e trajnerët për përgatitjen atletike. Si edhe për investimet e rëndësishme dhe zhvillimet profesionale që ka bërë Klubi në çdo drejtim, sëbashku me mbështetjen e madhe që ka patur nga Presidenti i Klubit, Z. Kokëdhima. Megjithëse ai e do Shqipërinë dhe shqiptarët, shprehet se është e nevojshme të dilet nga klisheja ”kështu funksionon këtu” dhe secili të bëjë ndryshimin.

Çfarë ju tërhoqi në fushën e përgatitjes atletike fillimisht? Cilat kolegje/universitete keni ndjekur dhe çfarë eksperience keni pasur në atë kohë që ju bëri të zgjidhni kete karrierë? 

Këtë pasion ma përcolli një nga profesorët e mi në Universitetin e Chieti-Pescara ku përfundova ciklin tim pesëvjeçar të studimeve. Gjatë një stazhi në biomekanikë posturale, kuptova se si qenia njerëzore është një makinë e përsosur dhe si e tillë është e nevojshme t’i jepet mundësia të shpreh në maksimum potencialin e vet. Në vitet në vijim, me të njëjtin profesor, zhvillova dy tema universitare eksperimentale. Njëra prej tyre përfundoi me një botim shkencor.

Si trajner atletik, ku keni punuar  përpara se të vinit  në F.K. Apolonia? 

Fillimisht kam punuar në Serinë D për 3 vjet, në U19 të Pescara-s për 3 vite të tjera, përpara se të arrija në Serinë B me Pescara Calcio. Më pas filloi aventura ime shqiptare, fillimisht me Dinamon dhe më pas me Apoloninë.

A e mbështeti familja juaj ardhjen në Shqipëri për të punuar pranë Klubit tonë? 

Absolutisht po, ata janë shumë të kënaqur me rrugëtimin tim dhe dëshirojnë gjithmonë të rritem profesionalisht. Është e qartë se ata do të më donin sa më afër.

Me cilin trajner italian futbolli keni punuar në atë kohë dhe pse iu përgjigjët ftesës së tij që të vinit në Fier tek F.K. Apolonia? 

Punoja me Fabrizio Cammarata, një profesionist shembullor dhe një person i mrekullueshëm. E nisëm bashkë aventurën me F.K. Apoloninë dhe ishim entuziastë për projektin që na u propozua. Ne do të punonim me të rinj të talentuar për t’i bërë ata lojtarë të gatshëm dhe të rëndësishëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera.

A ka dallime kulturore mes italianëve dhe shqiptarëve të tilla që kanë qenë pengesë në punën tuaj? 

Në Itali ky sport jetohet çdo minutë të ditës nga njerëzit e botës së futbollit dhe mbi të gjitha nga tifozët. Kjo e bën gjithçka më mahnitëse dhe të detyron të kërkosh gjithmonë më të mirën nga vetja për shkak të konkurrencës së ashpër. Këtu gjithçka është shumë e tolerueshme, pak vëmendje i kushtohet detajeve. Në këtë mënyrë njohuritë dhe aftësitë bien gjithnjë e më shumë.

A e kanë mbështetur trajnerët e Klubit të Futbollit Apolonia rolin e trajnerit atletik? 

Nuk kam pasur asnjë problem me trajneret italianë, sepse ata e njohin këtë figurë profesionale prej vitesh. Ndërsa me shqiptarët dhe të huajt e tjerë kam patur pak vështirësi për ndërgjegjësimin mbi detyrat e preparatorit atletik në ditët e sotme.

Si e vlerësoni marrëdhënien me Presidentin  e F.K. Apolonia? A ka qenë ai një mbështetje për ju dhe punën tuaj dhe si?  

Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie respekti, vlerësimi dhe ndershmërie me Presidentin. Më ka dhënë liri totale veprimi dhe më ka mbështetur në çdo zgjedhje dhe vendim. Ka investuar në teknologji dhe në mjete pune dhe  F.K. Apolonia tani është ndoshta e vetmi klub në Shqipëri që ka një palestër në qendrën e tij sportive. Si dhe vetmi që zotëron GPS për analizën e performancës.

A e patët të vështirë të ndërtonit raporte me stafin stërvitor? Apo e patë se aftësitë dhe profesioni juaj respektoheshin mjaftueshëm për t’ju inkurajuar të ndiqni një të ardhme të vazhdueshme me Klubin? 

Është e vështirë për një të huaj të imponojë idetë e veta, ndaj mendova se çdo propozim që ndaja me ekipin e parë dhe stafin e sektorit të moshave të Akademisë duhej të demonstrohej. Kemi analizuar disa seanca stërvitore gjatë të cilave u lashë teknikëve liri absolute. Më pas analizuam së bashku nëse ishte arritur objektivi i caktuar. Pak nga pak të gjithë filluan të më ndiqnin duke përshtatur stërvitjet e tyre, megjithëse jo plotësisht.

Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur te Klubi i Futbollit Apolonia nga momenti qe ju keni ardhur e deri sot? Nëse ktheni kokën pas, atëherë dhe tani çfarë ndryshimesh do të na thoni? 

Kemi ardhur këtu kur gjithçka duhej revolucionarizuar. Lojtarët nuk ishin të mësuar të punonin me ngarkesa të larta, ishin të padisiplinuar profesionalisht, nuk ishin të mësuar të punonin me veten dhe shpesh humbisnin përqendrimi gjatë stërvitjeve. Por kemi gjetur shumë gatishmëri dhe vullnet për të mësuar gjëra të reja dhe për të dhënë 100% çdo ditë.

Çfarë këshille do t’u jepnit  preparatorëve të tjerë atletikë që punojnë me futbollistët? 

Nuk jam në gjendje të jap këshilla, por ne duhet të kemi gjithmonë parasysh që kemi të bëjmë më njerëz përpara se të jenë lojtarë. Shëndeti mendor vjen para shëndetit fizik. Një stërvitje që nuk të bën të ndihesh mirë, edhe po të ketë përmbajtjen e duhur, nuk të çon askund.

Çfaë këshille do t’u jepnit trajnerëve të Klubit të Futbollit Apolonia? 

Duhet të përcjellin gjithnjë e më shumë shembuj të mirë dhe pasion lojtarëve. Duhet të flasin qartë, me autoritet dhe edukatë dhe duhet të mbajnë formimin e tyre personal të lartë. Nëse do të ishte e mundur, të shikonin edhe seanca stërvitore në vende të tjera evropiane.

Çfarë këshille do t’u jepnit futbollistëve profesionistë?  

Futbollistët profesionistë janë të tillë kur e gjithë jeta e tyre përqendrohet në punën e tyre. Nuk mund të jesh profesionist vetëm sepse luan në një klub profesionist. Je i tillë, nëse kujdesesh për trupin dhe mendjen tende përmes të ushqyerit, pushimit, stërvitjes individuale dhe përmbushjes së mangësive personale. Ata që nuk e bëjnë këtë luajnë top dhe kaq.

Si e vlerësoni gatishmërinë e një futbollisti për të luajtur në një lojë? 

Zakonisht vlerësohen karakteristikat fizike dhe ato të kushtëzuara përmes disa testeve dhe përmes procesit të vëzhgimit. Përgjithësisht vlerësohen pesha, gjatësia, parametrat e vrapimit, sprinti dhe reagimin e lëvizjeve.

Si e bëni vlerësimin e një dëmtimi të një futbollisti gjatë lojës? 

Gjatë ndeshjes është shumë e vështirë ta vlerësosh këtë. Në çdo rast, procedura që duhet ndjekur është të mbështetesh te profesionistët që mund të diagnostikojnë problemin përmes ekografive dhe MRI-ve. Pastaj fillon një protokoll i përbërë nga terapi dhe stërvitje, me qëllim që atleti të mos humbasë tonin e muskujve, mos të përkeqësohet shkalla e dëmtimit dhe që të ndihmohet procesi i rikuperimit. Personalisht nuk besoj në një ditë të vetme pa stërvitje. Nëse je profesionist dhe i sigurt për diagnozën, ka mënyra të ndryshme për ta bërë atletin të vazhdojë të stërvitet në një mënyrë të caktuar. Kur  atleti rikuperohet plotësisht, ai nuk do të fillojë nga zero për të arritur të dhjeta, por duke filluar nga pesa tek dhjeta. Kështu koha e rikuperimit do të shkurtohej.

Si i edukoni sportistët e Apolonisë për parandalimin e dëmtimeve? 

Çdo atlet i Apolonisë ka një program individual i cili është i bazuar në historikun e tij të dëmtimeve. Ata janë mësuar të vijnë në fushë të paktën një orë përpara stërvitjes dhe të zbatojnë programin e hartuar për ta. Lojtarët duhet të kuptojnë që puna në fushë nuk është e mjaftueshme. Të gjithë futbollistët kalojnë më shumë kohë duke u stërvitur jashtë kontekstit të tyre sportiv sesa brenda tij.

Çfarë ju ka dhënë më shumë kënaqësi në punën në F.K. Apolonia? 

Mundësia e ndryshimit të një metodologjie të vjetëruar. Perceptimi i besimit dhe vlerësimit të plotë nga ana e djemve dhe trajnerëve, të cilët kanë ndjekur dhe mësuar proceset e ndryshimit.

Si i ndani informacionet e vështira me një atlet dhe prindin e tij? 

Ndonjëherë proceset kulturore kalojnë edhe përmes kësaj. Të dish se si te komunikosh gjërat pozitive dhe negative fëmijëve ose prindërve nuk është një punë e lehtë. Unë personalisht jam përplasur me një kulturë që ende priret të fshehë në vend që të përballë, te ndajë dhe te zgjidhë.

Si do ta motivonit një atlet i cili ishte i dekurajuar nga pamundësia për të përfunduar me sukses një aktivitet stërvitor dhe nuk do të vazhdojë seancën? 

Varet nga lloji i demotivimit. Lojtari mund të mos ndihet i gatshëm dhe për rrjedhojë të përjetojë një situatë me vetëvlerësim të ulët. Ose mund të ndihet i gatshëm, por shkarkon përgjegjësinë për dështimin në mjedisin e jashtëm. Këtu jemi përballë dikujt që është i paaftë të marrë përgjegjësi për veten e tij e lëre më për të tjerët. Në të dyja rastet ka një zgjidhje të vetme, të empatizohesh me lojtarin, të mos qëndrosh si bartës moral i të vërtetave absolute, por ta dëgjosh atë dhe t’i japësh një këndvështrim tjetër.

A mund të përshkruani shkurtimisht llojin e detyrave që ju kërkohet të kryeni dhe të ndihmoni futbollistët e ekipit të parë të Apolonisë? 

Unë kujdesem për performancën fizike të sportistit në 360 gradë. Të ushqyerin, përmes këshillash, ekzaminimin e stilit të jetesës dhe pushimit të tyre. Sigurisht është pjesa e stërvitjes, gjatë të cilës përpiqem të përmirësoj të gjitha aftësitë e kushtëzuara të lojtarëve, duke punuar mbi pikat e dobëta të tyre dhe në mënyrë specifike sipas roleve që ata mbulojnë. Kjo mundëson që ata të arrijnë performancën optimale gjatë ndeshjes. Rezultati është vetëm produkti final i punës së palodhur.

Stërvitja në palestër shpesh shikohet nga disa trajnerë si ngarkese fizikë e panevojshme dhe “dëmtuese”. Çfarë do të thonit në lidhje me rolin e palestrës në trajnimin e futbollistit profesionist? 

Ka aq shumë shembuj se si palestra dhe ngarkesat ndihmojnë performancën në të gjitha sportet. Për më tepër e gjithë kjo është e mbështetur nga aq shumë literaturë shkencore. Vetëm ata që duan të ecin me idetë e tyre personale nuk e përqafojnë punën në palestër.

Ka shumë konfuzion se cilat janë vetitë neuromuskulare të forcës dhe vetitë e kushtëzuara të saj. Më lejoni t’ju jap një shembull. Nëse jemi mësuar të ngremë 100 thasë çimento në ditë, atë ditë që ngremë vetëm 1 do të duket sikur nuk kemi punuar. Nëse vazhdojmë të ngremë vetëm 1 thes për shumë kohë,  do të kthehemi në pikën e fillimit, sepse jemi më të stërvitur për 100 thasë por vetëm për 1. Stërvitja në palestër, pa riedukimin e gjestit teknik, çon në atë që trajnerët e përkufizojnë si rëndim ose mungesë freskie.

Çfarë arritjesh do të vlerësonit në punën tuaj në Fier pranë F.K. Apolonisë? Çfarë bilanci keni deri tani? 

Një bilanc definitivisht pozitiv, i cili dëshmohet nga vlerësimi i madh që kam marrë nga një marrëdhënie fantastike me djemtë. Gjithashtu edhe nga bashkëpunimi i ngushtë me Presidentin që ka mbështetur çdo zgjedhje timen, e cila ka qenë gjithmonë për të mirën e FK Apolonisë.

Kemi ndryshuar shumë gjëra në këto vite. Ndryshimi kërkon kohë dhe përkushtim. Dalëngadalë të gjithë do ta kuptojnë se si “një pikë çdo ditë mund të mbushë një gotë”. Duhet vullnet, pasion dhe aftësi për t’u përfshirë.

A u mësuat me jetën në Fier? Cili nga ushqimet shqiptare ju pëlqen më shumë? 

Tani ndihem gjysmë shqiptar. Më pëlqen shumë Shqipëria dhe kam pasur një eksperiencë të mrekullueshme jete deri tani, ndoshta sepse është një stil jete që e vlerësoj dhe e kërkoj. Kam krijuar marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe do të isha shumë i lumtur nëse dikush do të më kujtonte, sidomos jashtë fushës. Gatimet e preferuara? Turli me mish, të gjitha llojet e supave dhe zog fshati zgare.

Cilat janë këshillat që do t’u jepnit prindërve dhe lojtarëve pjesë të Akademisë së F.K. Apolonisë?

Këshilloj prindërit dhe trajnerët që t’u japin fëmijëve shembuj pozitivë dhe që të dilet nga stereotipi që thotë “kështu funksionon këtu”. Janë njerëzit që i bëjnë ndryshimet duke filluar nga gjërat e vogla. Djemve u sugjeroj që të kenë një ëndërr, të mos e rrethojnë veten me alibi dhe mbi të gjitha të MOS VETËKËNAQEN KURRË!

 

Lajme e fundit

×