Xhulia vjen nga Plugu i Lushnjës, një vend i qetë me njerëz të mirë. Xhulia thotë se nuk është paragjykuar nga bashkëfshatarët, por ata kanë qenë gjithmonë mbështetës të ecurisë së saj.
Gjithçka nisi në fëmijëri kur një shok pak më i rritur i tregoi se kishte mësuar një lojë të re. Xhulia, si një vajzë me karakter djali, i pëlqeu shumë loja dhe filloi ta mësojë atë. Ditë pas dite, ajo filloi të dashurohej me këtë lojë dhe luante vazhdimisht.
Në fillim të vitit të parë në shkollën “18 Tetori” në Lushnjë profesori i edukimit fizik kishte organizuar një ndeshje në Fier.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Loni Papuçiu” me skuadrën e femrave të Apolonisë dhe Xhulia zbuloi për herë të parë që futbolli për femrat ishte tashmë një profesion.
Vëllai ishte i pari që e mbështeti, duke i premtuar se do ta ndiqte në çdo hap të karrierës së saj si futbolliste.
Xhulia luan si qendërmbrojtëse e djathtë prej 8 vitesh tek skuadra e parë e femrave të F.K. Apolonia, të cilin e përshkruan si familjen e saj.
Apolonia është një klub serioz dhe me objektiva të qarta në kampionat.
Ajo ndihet shumë e vlerësuar që klubi e ka zgjedhur Kapitene të skuadrës. Ajo shprehet se është detyrë e vështirë, por po aq e bukur kur udhëheq një grup vajzash të talentuara, të papërkulura dhe gati për të luftuar për objektivat e skuadrës e të Klubit.
Sezoni i kaluar nuk i arriti pritshmëritë e saj për skuadrën, por shprehet se kurrë nuk dorëzohet dhe se do të stërvitet më fort dhe do të bëjë më të mirën bashkë me vajzat e ekipit për të arritur objektivin e tyre kryesor: Të jenë Kampionet e Shqipërisë!
Me mbështetjen e klubit të F.K. Apolonia dhe me forcën tonë, Xhulia ndihet besimplotë që do t’ia dalin të jenë kampionet!