NDESHJA E RADHËS

Shënoi ndaj Vorës, Stefano Omeri
Mediat

Shënoi ndaj Vorës, Stefano Omeri: Apolonia beson tek elita, me Flamurtarin shpërblejmë sezonin

Shënoi ndaj Vorës, Stefano Omeri: Apolonia beson tek elita, me Flamurtarin shpërblejmë sezonin

Postuar nga:

Shpëndaje në:

Share on facebook
Share on whatsapp
Share on linkedin
Share on twitter
Share on email

Kualifikimi në ndeshjen finale të “play off”-it është përjetuar me mjaft emocion tek Apolonia dhe sigurisht ka ngritur peshë zemrat e sportdashësve fierakë. Fundi i sezonit po rezulton emocionues dhe shpresëdhënës për Apoloninë, që me fitoren me përmbysje në Vorë, mban ende gjallë shpresat për t’u ngjitur në elitë.

Stefano Omeri është mësuar të shënojë gola me peshë këtë sezon për Apoloninë, pasi kur ai gjen rrjetën, fierakët fitojnë gjithnjë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese tregon “sekretin” e golave dhe emocionet e përjetuara të kualifikimit. Omeri shpreh bindjen se skuadra fierake do të shkojë pa presion dhe do të luftojë deri në frymën e fundit për t’u ngjitur në elitë.

Nga 3-1 në 3-4. Si erdhi përmbysja e Apolonisë në Vorë?

Mund të them se kemi interpretuar shumë mirë një takim të vështirë dhe më kryesorja është se nuk u demoralizuam për asnjë moment. Dhamë gjithçka në fushë dhe kishim bindje që do ta kthenim rezultatin. Ekipi tregoi karakter dhe pati grintën e duhur për t’u shpërblyer më së miri për mundin dhe djersën e derdhur gjatë gjithë vitit. Me atë që kemi bërë në Vorë kemi treguar se e meritojmë finalen e “play off”-it.

Realizuat një tjetër gol me peshë, i gjashti sezonal, si ndiheni?

Jam shumë i lumtur, për më tepër që ishte një ndeshje e rëndësishme që na siguroi finalen e “play off”-it dhe na mban gjallë shpresat për ngjitjen në elitë. Gjithnjë ka vend për më mirë dhe një lojtar nuk duhet të jetë asnjëherë i kënaqur me veten e tij. Gjithnjë përpiqem dhe mundohem të bëj më të mirën në çdo ndeshje.

Cili ka qenë goli më vendimtar i këtij edicioni dhe kujt ia dedikoni?

Të gjithë golat janë të rëndësishëm për një futbollist dhe ekip, por dua të veçoj atë kundër Vorës në ndeshjen “play off”-it. Ishte goli i tretë i takimit, që vendosi baraspeshën dhe natyrisht rriti besimin për kualifikimin. Golat ia dedikoj gjithë ekipit, stafit, tifozëve tanë të mrekullueshëm dhe padyshim edhe familjes sime.

Luani kundër Flamurtarit finalen e play off”-it. Çfarë prisni nesër?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi të dy ekipet luftojnë dhe pretendojnë për t’u ngjitur në elitë. Po stërvitemi intensivisht dhe do të hyjmë në fushë për ta fituar. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi përballë do të kemi një ekip pretendent si Flamurtari me cilësi në organikë. Duhet t’i marrim më të mirën vetes dhe të shfrytëzojmë në maksimum shanset që do të na krijohen. Jemi  gati për të luftuar deri në frymën e fundit për t’u ngjitur në elitë dhe shkuar pa asnjë lloj presioni në këto ndeshje finale, ku do të vendoset Superiorja.

Fakti që kjo finale luhet në “Elbasan Arena” dhe me rregullat e një ndeshje teke, me shtesa e penallti në rast barazimi. A e bëjnë këto edhe më të bukur këtë finale me Flamurtarin?

Kjo është diçka shumë pozitive. Jemi në rrugën e duhur dhe mendoj se do ta tregojmë edhe ndaj Flamurtarit se meritojmë të shpërblehemi në mënyrën më të mirë për këtë sezon fantastik që kemi zhvilluar.

Lajme e fundit

×