Romeo Harizaj, portieri i parë i shkëlqyer i skuadrës së parë të Apolonisë na tregon se si u bë portier, rrugëtimin e tij të gjatë dhe pasionin e tij të madh për futbollin, aftësitë e udhëheqjes së skuadrës nga porta, frymëzimi dhe motivimi i tyre gjatë gjithë lojës dhe në dhomën e zhveshjes, Sesi djali i sjellshëm dhe i qetë bëhet “i ashpër” dhe “agresiv” në fushën e lojës duke e përjetuar si betejë që duhet fituar nga ai dhe skuadra.
Si u bëtë portier profesionist futbolli? Kur keni shkuar te F.K. Apolonia?
Për herë të parë në futbollin profesionist jam afruar nga F.K. Apolonia në sezonin 2016-2017, nëpërmjet një mikut tim që ishte pjesë e strukturave të klubit. Ai më telefonoi dhe më siguroi një provë në ekipin e parë të Apolonisë. E prita me shumë kënaqesi, zhvillova 2 javë stërvitje provë dhe në fund ia arrita të merrja përgjigjen pozitive nga stafi teknik. Kështu nisi gjithçka në futbollin profesionist.
Cila ka qenë pjesa më e vështirë e rrugëtimit tuaj për t’u bërë futbollist profesionist dhe çfarë pengesash ju është dashur të kapërceni?
Me thënë të drejtën, para se të afrohesha në klubin e Apolonisë nuk është se kam patur ndonjë vështirësi të madhe për t’ia arritur kësaj gjëje. Kam punuar, ndoshta nuk vlerësohesha sa duhej atje ku isha në ekipet zinxhir, por kjo ishte një pjesë e konkurencës dhe e pëlqimit të trajnerëve.
Kush ka pasur ndikimin më të madh në karrierën tuaj si portier dhe pse?
Ndikimin më të madh e ka patur shoqëria ime dhe babai, sepse shikonin tek unë diçka pozitive në rolin e portierit. Që në moshën 8-vjeçare nuk e kam ndryshuar si rol. Kam vazhduar me pasion dhe përkushtim të punoj e të bëj më të mirën për këtë rol.
Çfarë mendoni se e bën futbollin sportin më të dashur e më popullor në botë?
Mendoj që futbollin si sporti më i dashur në bote e bën shikueshmëria e lartë që ka, tregon që ka gjetur zemrat e njerëzve. Çdo sport ka emocione dhe adrenalinë, por këto janë mesa duket më të forta në futboll, ndaj dhe është sporti më popullor në botë.
Kush mendoni se janë cilësitë më të rëndësishme që një portier duhet të ketë?
Mendoj se dy janë veçoritë që duhet t’i ketë çdo portier: Guximin dhe të jetojë me lojën.
Kush janë forca dhe dobësia juaj si portier?
Pika më e fortë është loja me këmbë dhe ambientimi i mirë në çdo ndeshje. Ndërsa një nga gjërat që duhet të përmirësoj është dalja në çdo goditje standarde në krahun e majtë të fushës.
Çfarë mendoni se e dallon Klubin tuaj F.K. Apolonia nga klubet e tjera në Shqipëri?
Klubin tim nga klubet e tjera e dallon stafi drejtues, stafi teknik, kushtet e stërvitjes dhe përkushtimi e serioziteti në çdo veprim.
Cili ka qenë momenti më i mirë që keni patur në karrierën tuaj?
Në futboll ka ulje dhe ngritje, momente të mira dhe të këqija. Nga momentet e mira doja të veçoja 2: e para është kur u shpallëm kampion i Kategorisë së Parë dhe u ngjitëm në elitën e futbollit shqiptar. E dyta është momenti kur mora ftesën nga ekipi kombëtar, që ishte një moment shumë emocionues për mua.
Cila ishte këshilla më e mirë që dikush ju ka dhënë për të luajtur futboll?
Pothuajse çdo njeri që ta do të mirën ka mundësi që të të japë çdo këshillë për mirë. Këshilla më e mirë është ajo që dëgjojmë dendur: “Puno fort, fort, fort dhe asnjëherë mos u dorëzo, se do të vlerësohesh patjetër. “
Kush është modeli juaj më i madh në futboll dhe pse?
Ka shumë portier në botë dhe secili ka stilin, mënyrën e të luajturit ndeshjen. Për mua çdo model i portierëve që janë në nivelin më të lartë në futboll është i rëndësishëm. Unë mendoj se kam stilin tim, si çdo portier besoj se e ka.
Cila ishte gjëja më e vështirë që keni mësuar për të luajtur futboll?
Gjëja më e vështirë për mua ka qenë përdorimi i këmbës dhe i dorës së majtë.
Cila mendoni se është sfida më e madhe me të cilën përballet futbolli sot?
Sfida që po përballet futbolli sot në Shqipëri mendoj se është hyrja në futboll e politikës, si dhe e disa njerëzve që nuk e kanë pasion futbollin, por e kanë vetëm çështje biznesi. Kjo rrezikon t’i humbë emocionet dhe dëshirën e njerëzve ndaj futbollit.
Romeo ke aftësi të spikatur lidershipi. A mund të na japësh shembuj të aftësive tuaja të leadership-it gjatë lojës?
Unë besoj se gjatë gjithë ndeshjes përpiqem t’i motivoj dhe orientoj shokët e skuadrës, duke komunikuar me ta për aksion të përbashkët. Përpara fillimit të ndeshjes, pasi ekipet kanë mbaruar nxemjen krijojnë një rreth në dhomën e zhveshjes. Aty unë me pasion i motivoj shokët e skuadrës duke i thënë ato që mendoj e ndjej si “duhet të bëjmë më të mirën” ,”ne jemi më të fortët” ,”duhet të jemi të bashkuar”. Edhe në fund të ndeshjes, pavarësisht rezultatit, unë i përgëzoj shokët dhe i ndihmoj të ruajnë qetësinë. Mua më ka rënë kjo përgjegjësi si më i madhi në moshë në ekipin tim. Komunikimi është kryesor, çdo gjë e bej për më të mirën e shokëve, skuadrës dhe klubit.
Romeo Harizaj është ndër portierët më të mirë që ka Shqipëria. Kë keni portier rival në kontekstin e aftësive?
Në futboll askënd nuk shoh si rival. Me të gjithë portierët e tjere jemi kolegë, me shumicën kam dhe marrëdhënie të mira jashtë futbollit.
Ju jeni portier që dilni nga porta dhe bëni futbollistin për të larguar rreziqet nga porta. Si ka ndodhur kjo? Stërviteni si futbollist?
Mendoj se kjo veçori ose kjo pikë e imja është e fortë krahasuar me shumicën e portierëve të tjerë. Në çdo aktivitet futbolli me shoqërinë, kur jam me pushime, kam dëshirë të luaj një rol tjetër që të jem sa më shumë në kontakt me lojën me këmbën.
A mund të na përshkruani se si reagoni ndaj kroseve dhe topave të lartë në zonën e penalltive?
Sipas meje e gjitha është kalkulimi i kohës së topit në ajër dhe komunikimi disa sekonda para se topi të futet në zonë. Kjo e bën më të thjeshtë daljen time dhe mbrojtjen e shokëve ndaj meje dhe portës.
A mund të na e përshkruani procesin e vendimarrjes, kur vendosni nëse topin që ju vjen ta godisni , ta kapni, të dilni jashtë porte si lojtar apo të bëni një goditje?
Kjo është një pjesë e vendimmarrjes së portierit, i cili duhet të bëjë zgjidhjen më të thjeshtë dhe më të saktë. Sepse nëqoftëse mundohesh që të bësh diçka larg mundësive reale të situatës konkrete, mund të shkosh drejt gabimit fatal e të pësosh golin.
A mund të na tregoni eksperiencën tuaj në gjuajtjen e penalltive? Po në pritjen e penalltive?
Asnjëherë në karrierën time nuk më është dhënë mundësia të gjuaj një penallti. Kënaqësia është shumë e madhe, sepse është një ndër mundësitë e rralla që një portier të shënojë gol në portën kundërshtare. Këtë mund ta arrij vetëm nëse i jepet rasti të shënojë penallti. Mendoj që në pritjen e penalltive duhet të jesh shumë i qetë. Sot janë mundësitë për ta analizuar përpara ndeshjes se cilët do të jenë gjuajtësit e penalltive të ekipit kundërshtar. Kjo gjë e bën më të lehtë për ne portierët.
A keni ndonjë hobi apo interes tjetër jashtë futbollit?
Futbolli është gjithçka për mua. Një prej gjërave që unë pëlqej më shumë pas futbollit janë udhëtimet e gjata me shoqërinë ose familjen.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Çdo ushqim i nënës sime është i preferuar, por më shumë pëlqej byrekun dhe rosnicat me mish pule.
Si arrini të qëndroni i përqendruar gjatë ndeshjeve, kur loja zhvillohet sidomos tek porta juaj?
Qëndroj shumë i përqendruar, duke komunikuar me shokët e skuadrës dhe duke shoqëruar me sy çdo pasim të kundërshtarit.
A keni ndonjë këshillë për trajnerët që punojnë me ekipet e portierëve të rinj tek Akademia e F.K. Apolonisë?
E vetmja këshillë e imja në baze të asaj që unë kam ndjekur gjatë stërvitjes së portierëve të akademisë, është që duhet të punohet diçka më shumë në anën teknike të portierëve.
Si mund ta përshkruash Romeon?
Romeon mund ta përshkruaj si një djalë të respektueshem, tolerant dhe me karakter të fortë. Por agresiv më shumë se ç’duhet brenda fushës së lojës dhe kjo për shkak se dua të fitojmë dhe dua të jem i karikuar në çdo moment.
Cilat janë ambiciet që keni? Ku e shikoni veten në të ardhmen e afërt?
Unë përpiqem që ëndrrat t’i bëj realitet. Ëndërroj të luaj në një nga 5 kampionatet më të fortë në Europë, Këtë gjë mund ta arrij duke punuar dhe duke patur besimin që kam te vetja.
Cilin nga trajnerët apo stafin teknik të F.K. Apolonia keni vlerësuar e pëlqyer më shumë dhe pse?
Shum trajnerë japin këshilla për mënyren si duhet të veprosh në futboll. Një që unë mendoj është më e rëndësishmja është këshilla që më jep profesor Eduart Miço para çdo ndeshjeje. Të bëj më të thjeshtën dhe të mos mundohem asnjëherë të bëj më tepër seç kam mundësi.