Prej 24 korrikut, Apolonia ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, me stërvitjet që po zhvillohen në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, prej afro dy javësh. Fillimisht u punua me një seancë, për të kaluar më pas me dy seanca brenda ditës, duke shtuar ngarkesën dhe rritur intensitetin.
Fierakët po punojnë paralelisht, si për anën fizike, ashtu edhe për atë tekniko-taktike. Trajneri spanjoll i Apolonisë, Jeray Rodriguez Rodriguez, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka komentuar gjendjen e skuadrës në këtë fazë të ngarkuar stërvitore. Spanjolli ka folur gjithashtu për cilësitë e grupit aktual të lojtarëve fierakë si dhe për synimet në të ardhmen e afërt.
Afro dy javë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”. Si kanë shkuar përgatitjet deri tani?
Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe skuadra po rritet ditë pas dite. Ne kemi qenë duke u stërvitur për plot nëntë seanca me radhë, madje kemi zhvilluar edhe dy seanca brenda ditës. Për momentin lojtarët po përshtaten mirë me idenë e filozofinë e lojës dhe njëkohësisht janë shumë të disiplinuar. Ata e dinë që kjo do të jetë pika jonë kryesore e punës së përditshme, kështu që po kujdesemi maksimalisht për çdo detaj, vetëm kështu bëhet diferenca.
Çfarë ju bind më shumë nga grupi aktual i lojtarëve fierakë?
Ajo që më bind më tepër te skuadra është disiplina, gatishmëria, përkushtimi, entuziazmi dhe dëshira e madhe e lojtarëve fierakë për të punuar intensivisht dhe për të qenë konkurrues në çdo kohë. Ata e dinë që çdo detaj është i rëndësishëm prandaj ditë pas dite po vetëpërmirësohemi. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe e dinë që ne duhet e do të kemi një mentalitet fitues.
Pas këtyre seancave stërvitore, a keni planifikuar ndonjë ndeshje miqësore?
Sigurisht që po, dhe të paktën pesë ndeshje miqësore deri në startin e kampionatit. Kjo është ideja jonë dhe mendojmë që këtë javë të zhvillojmë dy ndeshjet e para miqësore. Kështu do të kemi një ide më të qartë për gjendjen e skuadrës në tërësi dhe lojtarëve në veçanti.
Ndalemi pak te merkatoja, sepse mungojnë ende afrimet zyrtare tek Apolonia. Kur dhe ku do të ndërhyni?
I qëndroj mendimit tim të dhënë pak ditë më parë dhe rikujtoj se së bashku me presidentin e drejtorin sportiv do të bëjmë goditjet e duhura që Apolonia të jetë dinjitoze, konkurruese e pretendente në kampionat. Duhet e do të përforcohemi në disa pozicione, pra do të nënshkruajmë me lojtarë të tjerë cilësorë në mënyrë që të “dublojmë” disa pozicione të rëndësishme. Përpos titullarëve, ka rëndësi të veçantë edhe stoli.
Nëse skuadra do të jetë me këtë kontingjent, a mund t’i përballoni objektivat që keni këtë sezon?
Ne do t’i vendosim objektivat dita-ditës, me shumë punë, disiplinë e vendosmëri. E rikthehem që do të përforcohemi në disa pozicione, më saktë do i “dublojmë” me lojtarë të tjerë cilësorë që të jemi në gjendje optimale për të përballur kampionatin e gjatë dhe të vështirë. Detyrimisht duhet të jemi një skuadër shumë e kompletuar në mënyrë që të kontribuojmë së bashku dhe të përmbushim me sukses të plotë arritjen e objektivave.
Akademia fierake është ndër më të suksesshmet në vend dhe furnizuesja kryesore e ekipit të parë. Si e vlerësoni strategjinë e Apolonisë për aktivizimin dhe promovimin e lojtarëve të rinj?
Lojtarët e rinj janë vlerë e shtuar ose ndryshe e ardhmja e ndritur e çdo klubi. Ne jemi duke vlerësuar gjithçka dhe e dimë që ka shumë potencial në nivel sportiv. Shumë e rëndësishme është që të përmirësohet çështja e infrastrukturës, pra të kemi akoma më shumë terrene sportive, që të punohet e të rritet cilësia. Ka shumë lojtarë të rinj dhe pafund ekipe moshash.
HILMI SALIU. “Situata tek Apolonia, trajneri Rodriguez: Dua ekip me mentalitet fitues”– PANORAMASPORT.AL, 8 Gusht 2023












