Apolonia dhe Partizani do të ritakohen në Kategorinë Superiore këtë edicion, ku fierakët rikthehen pas 5 vitesh mungesë. Veç kampionatit, këto dy ekipe mund të përballen me njëra-tjetrën në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, në rast se kualifikohen në të parin.
Mes dy ekipeve ka pasur duele interesante në historikun e futbollit dhe pa dyshim që bilanci është në kahun e “demave”, por nuk mungojnë dhe episode të veçanta kur bardhejeshilët fitonin me shifra të thella. Përpara 10 vjetësh, ekzaktësisht më 30 tetor 2010, Apolonia mposhtte 4-0 Partizanin dhe asokohe militonin në Kategorinë e Parë.
Fierakët kishin krijuar një skuadër simpatike dhe pretendente, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka, ndërsa Partizani drejtohej nga i mirënjohuri Neptun Bajko dhe kalonin kohë të vështira. Fierakët i shpartalluan të kuqtë në lojë dhe rezultat.