Nuk ka fitues në takimin Apolonia-Flamurtari. Pritej të ishte kryendeshja e javës së 17-të, por vetëm e tillë nuk rezultoi. U zhvillua në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” dhe në praninë e vetëm 300 tifozëve. Një pikë që mund të quhet e mjaftueshme për vendësit, por jo miqtë. Me këtë rezultat, vlonjatët humbasin terren në zonën e ngjitjes.
Edhe pse Ramadani krijoi iluzionin e fitores me atë gol pas 11 minutash, mendoi Harizaj që të bënte heroi. Portieri shënoi me penallti dhe barazoi shifrat, që fierakët e mbrojtën me fanatizëm deri në finish, ndonëse 40 minuta luajtën me një lojtar më pak.
Portieri i Apolonisë, Harizaj: E shijova, goli i parë si profesionist
Romeo Harizaj gjeti rrjetën për të parën herë dhe e ka shijuar pa fund. Portieri është i lumtur që nuk gaboi te penaltia dhe i dha një pikë të artë Apolonisë. “Ishte një ndeshje e luftuar. Situata del ndonjëherë jashtë parashikimeve dhe kështu na ndodhu ne. Thuajse gjithë pjesën e dytë ishim me një lojtar më pak dhe kjo na e bëri shumë në vështirësi. Kjo na bën të ndihemi të kënaqur me pikën e marrë, sepse sakrifikuam shumë. Nëse do ishim 11 kundër 11, ne do ta kishim fituar.
Trajneri i Flamurtarit, Dritan Resuli: Kam dyshimet e mia për penalltinë, ishte si humbje
Dritan Resuli nuk kënaqet me barazimin, aq sa e quan “humbje”. Pas ndeshjes, trajneri i Flamurtarit tha: “Kemi lënë dy pikë të rëndësishme, prandaj nuk mund të jem i kënaqur. Më falni, por barazimi është si një humbje për ne. Nuk ishte e as nuk është rezultati që ne synonim, ndonëse e dinim që përballë kishim një rival direkt si Apolonia. Ishte një transfertë e vështirë, por i kishim mundësitë për më shumë.
E nisëm shumë mirë lojën, gjetëm edhe golin e avantazhit, por u barazuam shumë shpejt. Nuk dua ta komentoj penalltinë, por ishte e dyshimtë. Kështu mendoj unë, megjithatë, rigjetëm forcën brenda vetes dhe morëm frenat e lojës, por nuk ishim të qetë dhe të saktë para portës. Pjesa e parë ishte e mirë, ndërsa e dyta edhe më e mirë, por nuk patëm vetëm finalizimin si duhet. Sa i përket objektivit madhor, i qëndrojmë po njësoj, sepse dihet motoja jonë, që është një dhe e vetmja Superiorja”.
HILMI SALIU- “Portieri i Apolonisë shijon golin e parë si profesionist, trajneri i Flamurtarit: Kam dyshime për penalltinë, ishte si humbje”– PANORAMASPORT.AL, 22 Janar 2024