Ndubuisi Francis Eneh: Jam mbrojtës i fortë që shënon gola
Ndubuisi Francis Eneh, mbrojtësi i artë i Apolonisë e mbron portën e skuadrës së tij dhe shënon gola pothuaj në çdo ndeshje. Francis iu bashkua klubit 1.5 vjet më parë, por ai është rritur si lojtar në çdo komponentë duke kaluar nga U19 tek Skuadra e parë.
Punëtor dhe i sjellshëm, i zgjuar dhe me reflekse të forta, ai është i qartë për objektivat e tij dhe të skuadrës dhe i vendosur për t’u ngjitur në elitën e futbollit.
Me një fizik të shkëlqyer dhe me gjatësi 1.91m ai punon me dëshirën e zjarrtë për të përvetësuar aftësitë teknike e taktike dhe stërvitet pa u ndalur për ta çuar skuadrën në “Abissnet Superiore“.
A mund të prezantoni veten dhe të ndani me ne udhëtimin tuaj në botën e futbollit?
Unë quhem Ndubuisi Francis Eneh. Nuk ka qenë një udhëtim i lehtë, por Zoti ma bëri të lehtë, sepse andej nga vij unë nuk është e lehtë për të jetuar. Atje duhet të kalosh vërtet shumë vështirësi, të sigurosh ushqimin e familjes dhe jetesën më minimale.
Nga jeni? Sa vëllezër dhe motra keni? Po prindërit tuaj ku jetojnë?
Unë jam nga Nigeria, kam 4 vëllezër dhe motra që jetojnë me mamanë time, babai im nuk është më me ne që kur unë isha i vogël.
Çfarë ju frymëzoi për të ndjekur një karrierë në futboll dhe në çfarë moshe keni filluar të luani?
Ishte futbolli që më frymëzoi, ishte gjëja që më pëlqeu të bëja. E kam dashur futbollin që kur isha fëmijë. Nëna ime më bleu atëherë një top që të luaja dhe, nëse ma merrnin topin, unë filloja të qaja. Që në moshën 10-vjeçare luaja me top me shokët e mi të vegjël, nuk kishte akademi të mirë atje në vendlindjen time. Ne thjesht luanim futboll gjatë gjithë kohës.
Kush ishte personi që ju ndihmoi dhe ju mbështeti për të qenë futbollist? Kush besoi tek ju?
Nëna ime më ka mbështetur qysh kur isha i vogël. Ajo besonte tek unë.
Si erdhët në F.K. Apolonia? Jeni i kënaqur që jeni në këtë Klub dhe pse?
Mora një telefonatë nga menaxheri im, që më tha që një ekip në Shqipëri, F.K.Apolonia kërkon një qendërmbrojtës, i thashë wow, ky është një lajm i mirë. Menjëherë Klubi dërgoi ftesën dhe kontratën që e kam nënshkruar ditën e fundit. Muajin tjetër u nisa për në Shqipëri.
Çfarë pozicioni luani dhe çfarë ju pëlqen më shumë kur luani në atë pozicion?
Unë jam qendërmbrojtës, më pëlqen të luaj në dy pika në pozicionin tim.
Përshkruani stilin tuaj të lojës dhe pikat tuaja të forta që e ndihmojnë ekipin.
Jam lojtar shumë i fortë. Jam shumë i mirë në luftën në ajër, me gjuajtjet me kokë. Kam shënuar gola me kokë dhe e kam ndihmuar shumë ekipit tim me këto gola.
A ka futbollistë dhe ekipe te të cilët ju frymëzoheni?
Unë kam disa idhuj, por Konate është lojtari që më pëlqen më shumë për shkak të gjatësisë së tij dhe sepse është lojtar shumë i fortë.
Futbolli është një sport shumë konkurues dhe kërkues. Jeni sfidant dhe po punoni për të qenë më i miri?
Po, unë jam duke punuar për të qenë më i miri. Jam sfidant, sepse unë bëj përtej gjërave normale, pasi jam mbrojtës që shënon gola! Nuk është aq e zakonshme për mbrojtësit të bëjnë gola, por unë dua të shënoj dhe të arrij, dua rezultat të mirë, dua të ndihmoj ekipin tim për ta çuar në ‘Abissnet Superiore”. Dua vetëm të fitoj dhe ta shtyj skuadrën të ngjitet.
Gjatë gjithë karrierës suaj, cilat ishin disa nga sfidat më të mëdha me të cilat u përballët dhe si i kapërcyet ato?
Unë , si afrikan, besoj në punën e palodhur dhe në planin e Zotit. Erdha nga Afrika me një potencial të mirë dhe Klubi dhe unë arritëm përmirësim të ndjeshëm tek unë. Ishte një arritje e madhe që brenda 1 viti shënova disa gola për ekipin tim, por është një sfidë tjetër që unë kam, për t’u bërë lojtari më i mirë i Kategorisë së Parë dhe golashënuesi më i mirë.
Si e përgatit veten fizikisht dhe mendërisht për një ndeshje?
Fizikisht bëj punë të përditshme stërvitore në palestër dy ditë para ndeshjes. Mendërisht jam mësuar të fle shumë mirë kjo më ndihmon shumë dhe jam i qetë.
A mund të ndani momentet më të mira dhe më të këqija të jetës suaj në karrierën në futboll?
Momentet më të mira ishin shënimi i golit të fitores nga unë ndaj Dinamos dhe Tiranës dhe momenti im më i keq ishte humbja e rëndë ndaj Orikut.
Si e trajtoni presionin dhe si veproni në situata me rrezikshmëri të lartë?
Duke e qetësuar veten dhe duke u përqendruar fort, unë arrij ta përballoj atë.
Si e ruani aftësinë tuaj fizike dhe fokusin mendor jashtë sezonit ose kur nuk jeni duke luajtur ndeshje?
Me stërvitje të vazhdueshme shumë më tepër dhe me praktikë loje.
Jeni shumë i gjatë dhe me një fizik të shkëlqyer. A ju ndihmojnë në futboll?
Po sigurisht që më ndihmon shumë.
Si qëndroni të motivuar dhe përmirësoheni vazhdimisht si futbollist?
Me stërvitje dhe praktikë të vazhdueshme, si dhe duke shikuar lojtarë të tjerë profesionistë gjatë lojës, më motivojnë shumë.
Cilat besoni se janë cilësitë dhe aftësitë kryesore që kanë kontribuar në suksesin tuaj si futbollist?
Lutjet, duke besuar në veten time dhe duke punuar shumë për të pasur sukses.
Çfarë këshille do t’u jepnit futbollistëve të rinj aspirantë të Akademisë së Apolonisë?
Asnjëherë mos hiqni dorë, besoni në veten tuaj, mbi të gjitha.
Cilat janë mendimet tuaja për sezonin e fundit të ekipit tuaj dhe çfarë për sezonin e ardhshëm?
Ne dhamë maksimumin në sezonin e kaluar. Shpresojmë që ky sezon të jetë shumë më i mirë se sezoni i kaluar dhe padyshim do të shkojmë në “Abissnet Superiore”.
Nëse ju jepet lapsi që të përshkruani Francin çfarë do të shkruani? Ju lutem në detaje.
Unë, Franci jam i përulur, i disiplinuar mirë dhe i respektueshëm.
Cilat janë pikat kyçe më të forta të Klubit tuaj F.K. Apolonia në krahasim me klubet e tjera?
Ne kemi shumë lojtarë të mirë, me disiplinë të fortë. Ekipi ynë është profesionist dhe i fortë. Ne besojmë tek vetja jonë dhe nuk dorëzohemi kurrë.
Klubi ka infrastrukturë të mirë, është i organizuar mjaft mirë, Presidenti është shumë afër klubit dhe i ndjek dhe udhëheq të gjitha zhvillimet. Trajnimi i stafit është profesional dhe bashkëkohor në të gjithë komponentët.2
Je i huaj, a ndihesh si në shtëpinë e F.K. Apolonia? Po në Shqipëri?
Po, e them shumë sinqerisht, ndihem “në shtëpi”. Të gjithë tregojnë shumë dashuri dhe më trajtojnë si vëlla.
Jeni njohur me ushqimin shqiptar? Cilat janë gatimet shqiptare më të preferuara?
Nga ëmbëlsirat më pëlqen trileçe. Më pëlqejnë shumë: Tavë me mish e makarona, disa lloje gatimesh me oriz, por nuk ua di emrat.
Cilat janë gatimet më të mira të Nigerisë?
Ne kemi supë jollof me oriz dhe egusi, supë me piper, supë ogbono Amala dhe supë Ewedu.
Cilat janë ëndrrat tuaja? A jeni lloji i personit që mund të bëjë gjithçka për t’i arritur ato?
Po, unë i di ëndrrat e mia dhe me siguri do të vijë dita që të shkoj më lart dhe të bëhem një lojtar i suksesshëm.