Apolonia sheh kthesën në “Liri Ballabani”. Kanë tri javë që nuk fitojnë, duke humbur terren në renditje. Me dy barazime dhe një humbje, tashmë duan të rikuperojnë. E dinë që në Burrel do të jetë e vështirë dhe për më tepër me një “mal” me mungesa, por qëllimi nuk ndryshon. Abjel Bejzade llogarit pikët e plota në këtë transfertë dhe këtë e thekson në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.
Mesfushori i adaptuar shpesh edhe në mbrojtje, kërkon një sforco për ta kaluar këtë 90-minutësh.
Apolonia doli “thatë” me Elbasanin. Çfarë nuk shkoi mirë?
Më vjen keq që nuk finalizuam, pasi i kishim mundësitë tona. Kjo është edhe më e dhimbshme, sepse kemi humbur ose barazuar ndeshje nga episode të veçanta, të cilat kanë qenë ose neglizhencë, ose shpërqendrim nga ana jonë dhe jo ndonjë zotësi e kundërshtarit. Normalisht që kemi pasur momente të mira edhe në pjesën e dytë, por na “vrau” keqazi mënyra e arbitrimit, më fal, por tërësisht amatore. Autogoli në të 59-tën minutë erdhi nga goditja e një faulli thuajse brenda në zonë, por vetëm faull që nuk ishte. E shumë e shumë raste të tjera të dyshimta.
E treta ndeshje radhazi pa fitore…
Jemi në një moment paksa të vështirë, ndaj kthesa është domosdoshmëri. Kemi marrë vetëm dy pikë nga 9 të mundshme, ndaj duhet t’i rikuperojmë një orë e më parë. Nuk ka vend për pezmatim, pasi sapo ka filluar faza e dytë dhe ndërkohë që kemi edhe një fazë të tretë për t’u zhvilluar. Me qetësi e durim, do t’i marrim ndeshjet një e nga një, siç kemi bërë gjithmonë dhe në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë.
Këtë javë shkoni në Burrel, besoni vërtet te kthesa?
Patjetër që po, por është edhe një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet dhe pretendimet e veta. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, prandaj ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për ta kaluar me sukses këtë transfertë. Skuadra ka bërë disa hapa fals që duhen harruar shpejt dhe mendoj se të shtunën do të vijë kthesa apo reagimi ynë në kampionat.
Apolonia do të kënaqet edhe me një pikë në këtë transfertë?
Jo, Apolonia në çdo ndeshje ka si objektiv fitoren dhe në çdo sfidë hyjmë në fushë vetëm për të fituar. Është një ndeshje që i ka të tria rezultatet brenda, por ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin me qëllim që të marrim pikët e plota. Më pas, do të jetë fusha ajo që do të flasë më shumë.
HILMI SALIU- “Mesfushori i Apolonisë, Bejzade: Na “vrau” gjykimi me verdheblutë, për kthesën në Burrel”– PANORAMASPORT.AL, 15 Dhjetor 2023












