Ka dalë në stërvitje që në ditën e parë, ndonëse deklaroi hapur se donte që të largohej. Nuk është se i ka humbur ende shpresat që të shitet në fakt, por gjatë kësaj kohe preferon që të ruajë formën fizike. Jemi duke folur për Mario Gjatën, sulmuesin që 5 sezonet e fundit ia ka kushtuar Apoloninë.
Shtatlarti mendon se i ka ardhur koha që të hedhë hapin e madh në karrierë, por vendimin duket se ia ka lënë në dorë presidentit. Është i bindur që Koço Kokëdhima do të bëjë zgjedhjen për të, por edhe për arkat e klubit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari ka hedhur dritë mbi situatën e tij aktuale dhe opsionet që ka për të lëvizur. Nuk ngurron që të flasë edhe për javën e parë të përgatitjeve me fierakët apo rivalitetin në kampionatin e ardhshëm.
Po flitet kaq shumë për ju në merkato, por Gjata vazhdon të stërvitet me Apoloninë. A do të largoheni apo qëndroni?
Unë jam bashkuar me skuadrën që në ditën e parë të stërvitjes, sepse jam ende nën kontratë me Apoloninë dhe këtë e dinë të gjithë. Është logjike që më duhet ta respektoj si profesionist deri në fund, plus në këtë klub kam fituar shumë dhe jam ndierë i respektuar në çdo drejtim. Prej disa javësh jam duke folur gjerë e gjatë me presidentin për të ardhmen time, besoj e uroj që do të bëhet më e mira, si për mua, ashtu edhe për klubin. Vetëm presidenti Kokëdhima mund e do t’i japë zgjidhje një herë e mirë kësaj pune.
Kanë ardhur oferta për ju në klub, madje edhe nga ekipe të Superiores, si ndihet një lojtar në kushte të tilla?
Shumë shumë mirë, sepse mbi të gjitha është vlerësim e privilegj për mua. Normalisht që çdo lojtar synon të ecë sa më lart e të provojë veten në një kampionat më të fortë. Kështu ëndërroj edhe unë, pas plot pesë sezoneve të mira me Apoloninë. Jam besimplotë që në Fier do të bëjnë më të mirën për mua.
Cili është qëllimi juaj, i keni vendosur ndonjë prioritet vetes?
Qëllimi im i parë është që të luaj sistematikisht dhe pse jo në një kampionat më të fortë. Që kur kam veshur për herë të parë fanellën bardhejeshile, prej ekipeve të moshave e deri tek ekipi i parë, Apoloninë e kam parë si një mundësi shumë të mirë për karrierën time e për t’u rritur profesionalisht. Sot pas pesë viteve e them me bindje të plotë se ia kam dalë mbanë edhe pse kam ende shumë punë përpara. Jam vetëm 23 vjeç dhe synoj që të kem progres akoma më shumë në karrierën time.
Mbyllët një javë të plotë të fazës përgatitore. Si po ju duket Apolonia e re?
Apolonia e re është ndryshe, sigurisht ndryshimi është për mirë. Fillimi është i mbarë dhe fillimi i mbarë është gjysma e punës. Trajneri i ri spanjoll ka sjellë një frymë të re, lojtarët janë më të çliruar dhe po punojnë fort seancë pas seance. Besoj që sezoni i ri do të jetë krejtësisht ndryshe, madje shumë më i mirë se dy sezonet e fundit ku jemi mjaftuar me vetëm një vend të sigurt në zonën “play off”.
Shumë skuadra me traditë dhe me emra do të tentojnë njëherazi ngjitjen në elitë, sa të vështirë e bën kjo garën për Apoloninë?
Do të jetë një kampionat “flakë”, i vështirë dhe njëkohësisht i bukur. Në fund të fundit po flasim për skuadra me traditë e me emra që kanë kushte shumë të mira, plus rivalizojnë denjësisht njëra-tjetrën. Vit pas viti, kjo kategori po bëhet akoma më konkurruese, e nuk mund të quhet më “inferiore”. Apolonia do të japë maksimumin për t’u rikthyer në elitë dhe sigurisht ky objektiv madhor arrihet vetëm duke dhënë më shumë se 100% nga vetja.
HILMI SALIU. “Ka pesë sezone me Apoloninë, Gjata: Po pres që të shitem, vetëm Kokëdhima mund e do t’i japë zgjidhje”. PANORAMASPORT.AL, 30 korrik 2023












