Në datën 30 Nëntor, ora 10:00, pranë ambienteve të stadiumit “Loni Papuçiu”, u organizua trofeu “Kujtim Majaci”, një ngjarje e veçantë e dedikuar sulmuesit legjendar fierak, Majaci, i njohur si simboli i golit dhe një prej figurave më ikonike të futbollit të qytetit të Fierit e më gjerë.
Ky aktivitet mblodhi bashkë yje të futbollit veteran nga skuadrat e Apolonisë, Flamurtarit, Prishtinës, si dhe dy skuadra nga Çikago dhe Londra. Sportdashësit e pasionuar në Fier patën rastin të shohin përsëri në fushë emra të njohur si Pandeli Tole, Dashnor Bita, Dashnor Poci,
Sotiraq Kukuri, Dhimitraq Stefa, Romeo Haxhiaj dhe shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e futbollit fierak.
Kjo ishte një ngjarje emocionuese dhe një rast unik për të festuar trashëgiminë e Majacit, të futbollit fierak dhe për të bashkuar komunitetin e sportdashësve nga e gjithë zona.