NDESHJA E RADHËS

Arkiva

Kokëdhima dhe modeli Apolonia: “Ekuilibër financiar, të rinj vendas dhe investim te trajnimi. E kemi gati talentin e ri”

Kokëdhima dhe modeli Apolonia: “Ekuilibër financiar, të rinj vendas dhe investim te trajnimi. E kemi gati talentin e ri”

Postuar nga:

Shpëndaje në:

Share on facebook
Share on whatsapp
Share on linkedin
Share on twitter
Share on email

Koço Kokëdhima është ndër biznesmenët më të njohur në Shqipëri pas ardhjes së dmokracisë dhe gjithashtu ka qenë mjaft aktiv edhe në politikë, duke qenë tashmë kryetari i partisë ZGJIDHJA.

Këto më sipër pak na interesojnë, por Kokëdhima është një personazh interesant edhe për faktin se prej shumë vitesh është i përfshirë edhe në sport, më saktë në futboll. President i Apolonisë, Kokëdhima është ndër të paktët drejtues klubesh që njeh mirë ligjet e shtetit dhe ato të futbollit, duke dhënë kontribut në përmirësimin e organizimit të futbollit shqiptar, si dhe duke arritur të menaxhojë Apoloninë në mënyrë perfekte në aspektin financiar, sepse realisht klubi fierak është ndoshta i vetmi në Shqipëri që nuk operon me humbje. Natyrisht, kjo ka koston e vet, sepse Apolonia ka vite që luan në Kategorinë e Parë dhe nuk shpenzon pa fund për merkato futbollistësh, ndryshe nga shumë klube.

Objektivi i Apolonisë janë akademia, infrastruktura, puna me të rinjtë dhe evidentimi i tyre, që në të ardhmen futbollistët më të talentuar të transferohen në klubet e pasur të Superiores, apo jashtë vendit, si në rastin e Myrto Uzunit, i cili u evidentua pikërisht në Fier, kur në Berat pakkush i jepte hapësira.  

Për “Telesport”, zoti Kokëdhima ka folur gjerë e gjatë për punën që po bëhet tek Apolonia, modeli që ndjek ky klub, synimet për të ardhmen dhe talentet që po rriten. Jo vetëm kaq, sepse presidenti i klubit fierak komenton edhe krizën e disa klubeve në Superiore, duke kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi i famshmi “Fair Play financiar” nuk duhet të ndalet te licencimi për pjesëmarrje në kupat e Europës, por duhet zbatuar edhe Shqipëri, sado e dhimbshme të jetë.

– Zoti Kokëdhima, Apolonia bëri një figurë mjaft të mirë ndaj Kukësit në kupë. A e mendonit realisht se mund të kërcënonit Kukësin për sa i përket kualifikimit?

– Apolonia është klub shumë serioz, respekton çdo garë dhe integritetin e çdo takimi sportiv, pa toleruar e pa bërë pazare. E kemi trajtuar seriozisht edhe ndeshjen e kupës, edhe pse dihej që do të ishte shumë e vështirë, ndaj një rivali shumë të fortë, që lufton për titull. Përtej rezultatit, ajo që na kënaq është paraqitja e skuadrës, që përballet në mënyrë dinjitoze me skuadra që pretendojnë trofe në Superiore.

– A jeni i kënaqur nga sezoni i Apolonisë, duke pasur parasysh edhe ndryshimet në drejtim?

– Apolonia ka një skuadër shumë të mirë dhe rezultatet e saj këtë sezon nuk janë në lartësinë e skuadrës që ka. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se në mënyrë të vetëdijshme klubi ynë ka investuar te disa lojtarë të rinj. Po të kishte punuar me objektivin për të arritur rezultate më të mira, mund të kishim luajtur ndryshe në pjesën e parë të kampionatit, por prioriteti ynë këtë sezon nuk ka qenë renditja, sa ka qenë nevoja për të rritur dhe marketuar disa lojtarë, që janë shumë të talentuar. Kjo ka pasur koston e vet në aspektin e rezultateve, por në vazhdim besoj se situata do përmirësohet, lojtarët janë rritur e harmonizuar dhe rezultatet do të jenë edhe më të mira.

– Modeli Kokëdhima përballë modelit Gjici, përballje ironike, duke pasur parasysh sa të kujdesshëm ju me financat dhe sa shumë shpenzon Kukësi për të arritur suksesin, ndoshta duke sakrifikuar në aspektin e bilancit. 

– Nuk dua të flas për modelet e të tjerëve. Nuk kam informacion si është i organizuar Kukësi dhe as për financat e këtij klubi. Unë e vlerësoj për rezultatet sportive, sepse Kukësi ka vite që është në majën e futvbollit shqiptar dhe meriton përgëzime. Megjithatë, ne kemi politikë tjetër, politika jonë është realiste dhe nuk bazohet në planifikime që nuk justifikohen as me të ardhura dhe as me rezultate. Duke qëndruar në binarë realistë, me bilanc të balancuar, krejtësisht transparent me shtetin, të bazuar në detyrime fiskale, tatimore, kontraktore e ligjore, klubi ynë është shumë i qëndrueshëm, duke pasur mundësinë të promovojë vlera dhe të ndërtojë karriera. 

Në këtë aspekt, ndryshimi më i madh i Apolonisë nga klubet e tjera është se Apolonia është pa dyshim shkolla më e mirë e futbollit që ka sot Shqipëria, gjë që duket nga lojtarët që janë promovuar në tregjet e zhvilluara të futbollit, apo në tregun e brendshëm. Edhe aktualisht kemi shumë talente që besojmë se do të lënë gjurmë në futbollin tonë në të ardhmen. Apolonia do vazhdojë në këtë mënyrë, nëse sot stërvitim 250 lojtarë, synimi është që vitin e ardhshëm të stërvitim 500 lojtarë. Apolonia investon më shumë në teknologji, infrastrukturë dhe trajnim, sesa në paga lojtarësh, sepse duam të rritim djemtë e vendit dhe lojtarët e Akademisë tonë. Jo rastësisht pjesa dërmuese e lojtarëve të ekipit të parë të Apolonisë vinë nga Akademia jonë e futbollit. 

– Ndërkohë, shohim klube si Flamurtari, Kamza e të tjerë, që rrezikojnë falimentimin, kanë borxhe pa fund, pagat nuk jepen prej muajsh dhe gjyqe të reja janë në horizont. A është normale kjo për futbollin tonë dhe a duhet lejuar diçka e tillë, në një kohë që klube të tjerë mundohen të jenë korrektë?

– Në përgjithësi, futbolli shqiptar është rritur shumë këto vitet e fundit dhe FSHF ka merita, sepse nga një federatë shumë e varfër dha pa kapacitete është shndërruar në një institucion i pasur, që ka punuar shumë edhe në aspektin e infrastrukturës dhe në shumë drejtime të tjera. Megjithatë, janë pjekur kushtet që futbolli shqiptar të reformohet rrënjësisht, me qëllim që ai të mos jetë futboll i klubeve piramidale. Duhet seriozitet, në çdo drejtim, pasi përndryshe bëjmë vetëm dëme dhe nuk prodhojmë asgjë. Duhen marrë masa urgjente, që loja të jetë më e pastër dhe cilësore dhe që klubet të jenë solide në aspektin financiar dhe të trajtohen të gjithë njësoj. Problemi që ngrini ju është real dhe serioz. Kjo reformë duhet bërë në mënyrë urgjente, pasi nëse disa klube kanë probleme dhe u largohen lojtarët, apo luajnë mes gjyqesh dhe nuk licencohen dot për kupat e Europës, do me thënë se kemi një shtrembërim të garës. Disa luajnë dhe punojnë duke qenë korrektë, ndërsa disa të tjerë thjesht zvarriten deri në mbyllje të sezonit, duke shpresuar që FSHF të mos i dënojë apo përjashtojë.

– Duke u kthyer tek Apolonia, a mund të veçoni ndonjë futbollist që mendoni se ka të ardhme vërtet të rëndësishme në futbollin e madh?

– Aktualisht tek Apolonia kemi tre grupe lojtarësh të rinj shumë të talentuar. Grupi i parë janë 22 vjeçarët Buzi, Andoni dhe Prifti. Këta luajnë shumë bukur krahas lojtarëve të formuar e të pjekur Hysenshahaj, Nako dhe Çako që luajnë dhe mbajnë peshë të madhe te skuadra jonë. Grupi i dytë janë tre 18-vjeçarë të formacionit bazë Omeri, Zogaj dhe Gjata. Grupi i tretë përbëhet nga lojtarët 19-20 vjeçarë Mihana, Memeti, Sota dhe Harizi. Janë katër lojtarë fantastikë. Njëri më i mirë se tjetri. Mund të luajnë titullarë në çdo ekip të Superiores. 

Redon Mihana, është një lojtar i shkëlqyer dhe shumë interesant. Ka qenë i dëmtuar për pak kohë, por tashmë ka rigjetur formën e plotë dhe është kthyer në fushë. Është shumë premtues, do të keni mundësi ta shihni edhe në vazhdim. Mendoj se bëhet fjalë për një talent që do të lërë gjurmë në futbollin tonë dhe nëse ndodh, është diçka që do të na gëzonte shumë, pasi do të konfirmonte punën e mirë që po bëhet tek Apolonia me këta talente. E rëndësishme është që këta futbollistë të rriten gradualisht, t’i hedhin hapat një nga një, derisa të arrijnë maksimumin e vet dhe të ndihmojnë klubet ku do të luajnë, por edhe veten.

Për punën e jashtëzakonshme që bëhet me këta talente të veçantë dua të përgëzoj trainerët e Apolonisë. Ata janë vërtet skuadra më e madhe e KLUBIT dhe Akademisë tonë. 

– Presidenti i FSHF-së Duka u zgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. A keni një koment për këtë?

– Kam pasur besim se zoti Duka do e fitonte vendin në këtë organ kaq prestigjioz dhe të rëndësishëm. Ai e meritonte. Ka bërë shumë për futbollin. Zgjedhja e Dukës është një ngjarje historike për futbollin shqiptar. Është vërtet shumë e rëndësishme për Shqipërinë. E kam inkurajuar të konkurojë dhe jam i lumtur që ia doli.

Lajme e fundit

×