Apolonia e moshës deri në 19 vjeç vazhdon ta shijojë ëndrrën e saj të kalimit të raundit në UEFA YOUTH LEAGUE. Protagonistët e këtij suksesi Arlind Kurti, Erald Maksuti dhe Henri Bega kanë treguar emocionet e tyre, pozitive dhe negative, për çfarë përjetuan në fushën e lojës. Për Kurtin, goli i pësuar nuk është se e prishi festën e Apolonisë
“E rëndësishme – thotë Kurti – është që morëm fitoren. Me këtë sukses kemi nderuar qytetin tonë, prindërit tanë, por dhe të gjithë tifozët, të cilët ishin të pranishëm dhe të shumtë në shkallët e stadiumit”.
Por çfarë ndodhi në momentin e golit të Zhumabekovit, atje ku as Kurti e as Bega nuk ishin në gjendje ta ndalin. Mbrojtësi i katërkëndorit të Apolonisë tregon për RTSH Sport.
“Goli erdhi se në fakt rrëshqita, ndërsa fusha nuk ishte në gjendje të mirë. Megjithatë ne nuk e lamë lojën dhe nuk u dekurajuam. Përkundrazi ia arritëm qëllimit”, nënvizon Bega.
Në tre gola të shënuar, dy mbajnë firmën e Erald Maksutit. A e kishte menduar kështu qendërsulmuesi i Apolonisë përballjen me kazakistanasit?
“Jemi stërvitur fort për këtë sukses. Kemi mbi një vit që përgatitemi për këtë aktivitet dhe në fund ia dolëm”, tha Maksuti.
Ndërkohë Apolonia, përtej atij goli të pësuar, ka shfaqur një mbrojtje solide që nis me Begën në portë dhe vazhdon me Cakajn në të majtë, Borovën dhe Kurtin në mbrojtje e Palin në të djathtë. Ja si është forcuar ky bashkëpunim mes tyre.
“Kemi 7 vite që luajmë bashkë dhe për rrjedhojë njihemi mirë dhe kombinohemi ashtu sikurse duhet”, tregon Bega
Por çfarë do të thotë për qendërmbrojtësin Kurti ky kalim raundi?
“Kualifikim historik, të cilin nuk e kanë arritur asnjë nga ekipet shqiptare të të rinjve, që kanë marrë pjesë në këtë veprimtari”, deklaron Kurti.
Çfarë duhet të presin tifozët fierak nga Maksuti në përballjet me Hajdukun?
“Do jap më të mirën time në fushën e lojës. E rëndësishme është të përgatitemi mirë dhe të shohim përpara për të kaluar dhe raundin tjetër”.
Hajduku kundërshtari i radhës, ndërsa në Fier tanimë kanë nisur përgatitjet. Arlind Kurti, Erald Maksuti dhe Henri Bega japin parashikimet e tyre për përballjen me kroatët.
“Duhet të punojmë akoma dhe më shumë – tregon Kurti – që të marrim dhe të tjera rezultate pozitive. Sigurisht presim kualifikimin”.
“Asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm. Ndaj do të japim maksimumin për të shkuar dhe më tej, pra të kalojmë dhe Hajdukun”, pohon Maksuti
“Fitore! Vetëm fitore ndaj Hajdukut. Nuk ka rezultat tjetër”, përfundon Bega.












