Antigoni Hyska, portierja e F.K. Apolonia që prej 5 vitesh tashmë është bërë pjesë e ekipit Kombëtar të Femrave të Shqipërisë vitet e fundit.
Dëshira e saj për të luajtur futboll ka qenë gjithmonë e madhe, duke ëndërruar të luajë në një ekip të madh! Kushërira e saj i tregoi rreth klubit të F.K. Apolonia dhe është personi që i tregoi dritën, por Antigoni druhej nëse prindërit do të pranonin që ajo të bëhej pjesë e një ekipi futbolli, sidomos se shtëpia e saj në Ardenicë kishte një distancë nga Klubi. Babai i saj e mbështeti qysh ne fillim, ndërsa e ëma dhe vëllezërit mendonin se futbolli është për djem.
Antigoni i premtoi familjes se do të bëhej fotbolliste profesioniste që të arrinte diçka të madhe.
Tek F.K. Apolonia Antigoni gjeti një mikpritje të jashtëzakonshme. Klubi F.K. Apolonia dhe Presidenti z. Kokëdhima i dhanë Antigonit një mbështetje të plotë e të gjithëanshme për të zhvilluar karrierën e saj. Ajo filloi të luajë në ekipin U-16 si sulmuese, por më vonë kuptoi se pozicioni më i përshtatshëm për të ishte portierja.
Çdo ditë stërvitej dy herë në ditë, me ëndrrën për të qenë pjesë e ekipit të parë të femrave dhe më pas pjesë e Kombëtares Shqiptare.
Familja e saj dhe Klubi u bënë mbështetja e duhur që ajo ta zhvillonte me besim e këmbëngulje stërvitjen dhe ecjen para.
Ajo arriti të bëhej pjesë e ekipit të parë të femrave të F.K. Apolonia dhe pjesë e ekipit kombëtar të femrave të U-17 si dhe kapitene e tij.
Vitin e fundit ajo ishte pjesë e ekipit kombëtar të femrave të U-19.
Në 2023 Antigoni mori licencën UEFA B Goalkeeper duke u bërë kështu portierja e parë femër në Shqipëri me këtë licencë.
Ajo punoi me trajnerët Ilir Bozhiqi dhe Erion Metaj, Elton Hazizaj dhe Eduart Mico te F.K.Apolonia të cilët i falenderon për të gjithë dijet dhe trajnimet.
Ajo synon të dalë kampione së bashku me ekipin e saj të Femrave të F.K.Apolonia dhe është e gatshme për të përballuar dhe fituar të gjitha ndeshjet e garave të sezonit 2023/2024.