Marko Jovanoviç, trajneri serb, i njohur për eksperiencën e tij në futbollin shqiptar, ka firmosur me klubin FK Apolonia dhe do të marrë drejtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.
Jovanoviç është një emër i njohur për tifozët shqiptarë, pasi ka qenë ndihmës i Skënder Gegës te Partizani gjatë sezonit 2018, si dhe pjesë e stafit teknik te Luftëtari dhe Kukësi, ku ka ushtruar edhe rolin e videoanalistit. Pavarësisht një qëndrimi relativisht të shkurtër te Partizani, ai u vlerësua për profesionalizmin dhe qasjen moderne ndaj lojës.
Së fundmi, Jovanoviç ka drejtuar skuadrën serbe Dinamo Jug, të cilën e ka ngjitur me sukses në Kategorinë e Parë në Serbi, duke konfirmuar edhe një herë aftësitë e tij në ndërtimin e ekipeve konkurruese.
Rikthimi i tij në Shqipëri vjen me një mision të qartë: të rikthejë Apoloninë aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar.