Beatrice Adawoed Sesu është 28 vjeçe, nga Ghana. Eshtë e gjatë 161 cm. Beatrice ka luajtur futboll që nga viti 2010 si mesfushore e avancuar dhe mbrojtëse. Ajo luan me të dyja këmbët, është një vajzë e edukuar, me ambicie dhe punëtore e palodhur . Për të ky është sezoni I dytë me FK Apolonia.
Flet anglisht shumë mirë dhe e ndihmon skuadrën e saj të bëjë rezultate në çdo ndeshje.
Cili ishte momenti kur vendosët të ndiqnit karrierën si futbolliste në Shqipëri?
Sinqerisht, kurrë nuk kisha dëgjuar për Shqipërinë, por kur mu dha mundësia të vija nga Gana këtu, e pashë si një shans për mua. Pas përfundimit të kontratës sime të parë prej 6 muajsh dhe interesit që tregoi Klubi i Apolonisë për mua, vendosa të ndjek karrierën time këtu tek Apolonia, në Fier, në Shqipëri.
Çfarë pozicioni luani?
Jam mbrojtëse e majtë.
Si e përjetoni përvojën tuaj në F.K. Apolonia dhe a mendoni se jeni vlerë e shtuar në Ekipin e femrave të F.K. Apolonisë?
Në fillim nuk ishte e lehtë, por si profesioniste që jam, e di si t’ia dal. Përvoja ime këtu ka qenë fantastike, kam mësuar gjëra të reja përveç atyre që dija. I pranoj ndryshimet, i pranoj të tjerët, i ndihmoj, përshtatem lehtë, jam e dashur dhe e afrueshme. Unë besoj se jam një lojtare e vlefshme për ekipin e parë të femrave F.K. Apolonia.
Çfarë mendoni për skuadrën tuaj, kush janë pikat e forta dhe çfarë e dallon nga ekipet konkurente?
Ekipi im ka shumë talente dhe potencial, me lojtarë që dinë se çfarë bëjnë në fushë. Trajnerët janë të përgatitur për të ndihmuar një lojtare të caktuar që ka nevojë të përmirësohet, që të përputhet me kolegët e skuadrës dhe kjo e dallon atë nga skuadrat kundërshtare.
Cilat janë momentet më të bukura dhe më të vështira në karrierën tuaj si futbolliste?
Momentet më të bukura janë kur perzgjidhem për të luajtur nga trajneri.
Gjithashtu kam përjetuar me gëzim të madh kur u caktova kapitene e ekipit kombëtar të U-17 dhe U-20 në Gana, kur u kualifikuam e luajtëm në Kupën e Botës, për moshat përkatëse. Kur isha nën moshën 18 vjeçe mora çmimin si “lojtarja më e vlefshme për sezonin 2010-2011”.
Momenti më sfidues në jetën time ishte kur bëra një operacion në Gana që më la në shtëpi gjatë, por më pas punova shumë fort dhe u ftova për të luajtur me kombëtaren e skuadrës së parë të femrave dhe pas 3 ndeshjesh fitova trofe, dhe mora çmimin si “mbrojtësja më e mirë për sezonin 2021/22” dhe ky vlerësim ishte fantastik e më bëri të lumtur.
Cilat janë synimet tuaja në futboll dhe çfarë ambicjesh keni tek F.K. Apolonia?
Ambicia ime në futboll është të marr pjesë në një ligë më të lartë dhe më konkuruese, të fitoj trofe dhe të ndikoj në jetët e shumë vajzave që duan te ndjekin të njëjtën karrierë si unë.
Si do të përshkruanit stilit tuaj të lojës dhe aftësitë tuaja si futbolliste?
Stili im i lojës është unik dhe i bukur sepse unë luaj me të dyja këmbët dhe nuk luaj si një mbrojtëse tipike. Kjo ndodh për shkak se kam luajtur si mesfushore ofensive para se të kthehesha në mbrojtëse.
Kombinimi i njohurive për të dy rolet bën që stili im të jetë unik, pasi i luaj të dyja me kompetencë dhe mjaft mirë. Unë jam e fortë dhe nuk kam frikë, jam e kthjellët nga ana teknike, me aftësi komplekse dhe e ndjek lojën e skuadrës dhe të kundërshtarit mjaft mirë.
Cili është mesazhi juaj për të gjithë ata që besojnë se futbolli është vetëm për meshkujt?
Mendoj që një gjë që të gjithë duhet ta kenë në mendje, veçanërisht ata që mendojnë se futbolli është vetëm për meshkuj: Një person me talent është ndryshe nga ai që mëson të bëjë diçka ndërsa rritet.
Ata duhet t’i mbështesin vajzat që kanë dëshirë e pasion futbollin dhe që janë të talentuara. Duhet të kenë në mendje se “rrugët e njerëzve janë të ndryshme në jetë”.
Si e gjeni mjedisin e F.K. Apolonisë?
E dua Klubin e Apolonisë. Është i qetë dhe ka sinqeritet në marrëdhënie. Ndjek stërvitjet me disiplinë të lartë. Ajo që më pëlqen më shumë është aksesi në palestrën e Klubit ku ushtrohem rregullisht.