Mbrojtesi më i mirë i kampionatit shqiptar që e ka ndihmuar skuadrën e Apolonisë në çdo betejë. Erisildjo është i shpejtë, i zgjuar, fitues në lojën në ajër, tepër i sigurtë me topin në zotërim, shumë i saktë në pasime dhe i fortë në lojën një kundër një.Në mbrojtje i jep ekipit siguri të madhe, por ka edhe cilësi të shkëlqyera organizative. Erisildjo, fjalëpakë na tregon për www.fkapolonia.al për karrierën e tij si futbollist.
Çfarë ju frymëzoi të bëheni futbollist?
Futbolli është një nga sportet më masivë në të gjithë botën plus edhe më tërhiqte shumë kur kam qenë në moshë të vogël.
Cila ishte pjesa më e vështirë e rrugëtimit tuaj për t’u bërë një futbollist profesionist?
Kur kam qenë i vogël, kam patur disa probleme shëndetësore dhe doktorët nuk më lejonin të luaja futboll.
Cilat mendoni se janë cilësitë më të rëndësishme për një futbollist të suksesshëm?
Duhet të kesh shumë pasion për të punuar, sepse çdo cilësi pa punë nuk është asgjë dhë për mendimin tim cilësia më e madhe në futboll është karakteri i fortë që tregon futbollisti në fushën e lojës.
Cila është këshilla më e mirë që dikush ju ka dhënë për të luajtur futboll?
Këshilla më e mirë që kam marrë është që edhe kur rrëzohesh duhet të ngrihesh përsëri.
Çfarë e dallon ekipin tuaj të Apolonisë nga ekipet e tjera ku ju keni qenë e jeni?
Apolonia është një ekip kompakt i cili karakterizohet për punën e madhe që bëjnë trajnerët si me grupmoshat, por edhe me ekipin e parë.
Kush ka pasur ndikimin më të madh në jetën dhe karrierën tuaj?
Ndikimin më të madh në karrieren time e ka patur vëllai, sepse ai më ka mësuar futbollin dhe pa të nuk do të isha bërë futbollist.
Çfarë pengesash ju është dashur të kapërceni për të arritur të jeni lojtar i “Abissnet Superiore”-s?
Pengesat kane qenë arsyet shëndetësore që i përmenda më lart dhe i vura detyrë vetes që t’i lija mënjanë dhe të vazhdoja ëndrrën time.
Në cilin pozicion luani dhe çfarë ju pëlqen më shumë kur luani në atë pozicion?
Unë luaj mbrojtës qendre dhe mbrojtja duhet të tregojë gjithmonë personalitet në lojë sepse mendoj që është reparti më i rëndësishëm në futboll.
Cila do të thoshit se është cilësia dhe aftësia juaj më e madhe si lojtar?
Cilësia ime më e mirë është që futem në shumë duele me kundërshtarët dhe ndeshem trup me trup. Mendoj se kam aftësi shumë të mira për të lexuar lojën dhe kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist.
Përshkruani stilin tuaj të lojës dhe pikat e forta që i sillni ekipit.
Shkatërrimi i aksioneve që ndërton kundërshtari dhe ndërtimi i lojës sonë, kur jemi me topin.
Kush është futbollisti juaj i preferuar dhe pse?
Futbollisti im i preferuar është Sergio Ramos sepse ka të njëjtin pozicion në fushë dhe ka një karakter shumë, shumë të madh që shumë pak mbrojtës të tjerë e kanë.
Cilat kanë qenë momentet më të këqija dhe më të mirat gjatë karrierës si futbollist?
Momentet më të këqija për mua kanë qenë kur kemi qenë në Superligë dhe trajnerët nuk më aktivizonin në lojë. Momentet më të mira kanë qenë kur isha pjesë e Akademisë së Apolonisë dhe kemi dalë kampionë për U-19 si dhe kur kemi dalë kampionë të Kategorisë së Parë.
Për cilën arritje në karrierën tuaj të futbollit jeni më krenar?
Kur ia dolëm të futeshim në “Abisnët Superiore”.
Cila ishte gjëja më e vështirë që keni mësuar për të luajtur futboll?
Të vështirë kam patur leximin e lojës në fillim, kur kam qenë në fillimet e mia dhe kur fillonte loja nuk përshtatesha dot.
A keni ndonjë këshillë për lojtarët më të rinj që sapo kanë filluar?
Këshilla e vetme që kam është: vetëm me punë, arrihet gjithçka.
A keni ndonjë këshillë për prindërit, fëmijët e të cilëve luajnë futboll në Akademinë e F.K. Apolonia?
T’i mbështesin fëmijët dhe të mos ua prishin ëndrrën.
Nëse nuk mund të ishe një futbollist profesionist, çfarë do të bëje në vend të kësaj?
Nuk e kam menduar asnjëherë veten pa futbollin. Unë gjithmonë futbollin e kam patur pasion të madh dhe deri tani mendoj se ia kam dalë të jem një futbollist shumë i mirë.
A keni ndonjë hobi apo interes tjetër jashtë futbollit?
Jo, nuk kam ndonjë hobi të veçantë.
A ndiqni ndonjë sport tjetër përveç futbollit?
Po, ndjek basketbollin.
Nëse do të bënit një “portret” të vetes, si do ta përshkruaje?
Thjesht një futbollist që do të arrijë shumë më shumë.