Portierja e Apolonisë, Antigoni Hyska, prej vitesh ka arritur të krijojë një reputacion si një nga portieret më të suksesshme Shqiptare. Ajo prej disa vitesh mbron me sukses portën e Apolonisë, dhe ka veshur fanelën e të gjitha kombëtareve të moshave të Shqipërisë Aktualisht është portiere e Kombëtares së Shqipërisë. Përveç kësaj, është edhe trajnere portieresh e ekipit të vajzave të Apolonisë U16, duke ndihmuar në zbulimin dhe zhvillimin e talenteve te reja. Gjithashtu Antigoni është edhe e para femër që po licensohet në Shqipëri si trajnere portieresh.
Duke pasur parasysh kta faktorë, do të ishte interesante të dinim më shumë rreth përvojës së saj si futbolliste dhe trajnere, si dhe qëllimeve dhe synimeve të saj për të ardhmen në botën e futbollit.
-Cili është inspirimi juaj për të luajtur si portiere?
Antigoni Hyska: Të luaj portiere me Apoloninë ka qenë kurrorëzimi i ëndrrës sime për të qenë pjesë e një klubi të suksesshëm në Shqipëri. Klubi ynë ka një histori të pasur dhe traditë në futbollin për femra. Për mua ka qenë krenari të luaj për këtë ekip.
Por, gjithashtu, inspirimi im vjen edhe nga të tjerët në ekip, si trajnerët, bashkëlojtarët dhe tifozët tanë të zjarrtë. Gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve, pata mundësinë të mësoj shumë nga ata dhe të rrit vëmendjen dhe aftësitë time në fushën e lojës. Në këtë mënyrë, jam munduar të jap gjithmonë maksimumin tim në fushë, duke ndjekur pasionin tim për futbollin dhe duke ndihmuar klubin tonë të arrijë qëllimet.
–Si është të luani për Apolonine dhe cili është ndikimi i trajnerëve dhe bashkëlojtarëve në performancën tuaj?
Antigoni Hyska: Te luash për Apoloninë është një eksperiencë fantastike. Është një ekip i talentuar dhe me shumë pasion për futbollin, kështu që është një kënaqësi të jem pjesë e këtij ekipi. Trajnerët tanë janë profesionistë dhe kanë një vëmendje të veçantë deri në detajet më të vogla dhe përmirësimin e paraqitjeve tona individuale ose si ekip. Ne të gjitha vajzat e mbështesim shumë njëra tjetrën, kështu që ndikimi i tyre në performancën time është shumë pozitiv. Unë besoj se një ambient pozitiv dhe një ekip i fortë janë faktorë të rëndësishëm në arritjen e rezultateve të mira në fushën e lojës.
-Si është të luash si portiere në futbollin e femrave në Shqipëri dhe cili është nivel i këtij sporti në vendin tonë?
Antigoni Hyska: Të luash si portiere në Shqipëri është një sfidë e madhe, por që të jep shumë kënaqësi. Për mua, është një ndjenjë e jashtëzakonshme pasi ky pozicion kërkon aftësi të veçantë dhe një fokusim të madh në lojë.
Sa i përket nivelit të futbollit femëror në Shqipëri, unë do të thosha se ka bërë një progres të madh në vitet e fundit. Së bashku me rritjen e popullaritetit të futbollit të femrave në botë, edhe në Shqipëri ka rritje të kësaj loje.
Për fat të mirë, ekziston një organizim më i mirë i kampionateve dhe turneve të futbollit për femra nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga UEFA. Ka më shumë mundësi për trajnim dhe zhvillim të futbollisteve të reja. Kjo ka ndikuar pozitivisht në nivelin e futbollit të femrave në Shqipëri. Gjithashtu ka bërë që të rritet interesimi për këtë sport nga vajzat.












